
Shkon në 27 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas- Trump: Po punojmë me autoritetet atje
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për përmbytjet shkatërruese në Teksas duke deklaruar se administrata e tij është duke bashkëpunuar me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë atje.
Trump tha se Sekretari për Çështjet e Sigurisë Kristi Noem do të jetë “atje së shpejti”.
“Melania dhe unë po lutemi për të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi e tmerrshme. Kemi ndërmarrë veprimet tona të guximshme dhe po bëjmë më të mirën. Zoti i bekoftë familjet amerikane dhe Zoti e bekoftë Teksasin”, shkroi Trump në “Truth Social”.
Zyrtarët në Teksas kanë gjetur trupat e të paktën 27 personave, mes tyre nëntë fëmijë. Autoritetet në Teksas bëjnë të ditur se janë evakuuar ose shpëtuar mbi 850 njerëz, përfshirë tetë me lëndime.
Ata paralajmërojnë se situata është ende në zhvillim dhe numrat e personave që kanë humbur jetën mund të rriten. Numri i mëparshëm i vdekjeve të siguruara nga autoritetet e premten në mbrëmje ishte 24 ndërsa tani ka shkuar në 27.
“Ne nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informacion të mëtejshëm për të ndjerin në këtë kohë pasi mendimet dhe lutjet tona u drejtohen të dashurve. Ne jemi duke punuar shumë për të gjetur këdo që ende mungon dhe për të siguruar që ata janë të sigurt”, u shpreh sherifi i Qarkut Kerr Larry L. Leitha. /rtsh/


