Zvicra mposht Kanadanë, kalon në fazën e eliminimit direkt, kualifikohet edhe Kanadaja

Zvicra mposht Kanadanë, kalon në fazën e eliminimit direkt, kualifikohet edhe Kanadaja

Zvicra ka siguruar vendin e parë në Grupin B të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kanadanë me rezultat 2:1 në Vankuver, në një ndeshje ku të dyja kombëtaret arritën objektivin e kualifikimit në fazën eliminatore, shkruan rekordi.net.

Pjesa e parë ishte e baraspeshuar dhe me pak raste të pastra shënimi. Breel Embolo dhe Johan Manzambi rrezikuan për zviceranët, por portieri kanadez Maxime Crépeau reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Në anën tjetër, Gregor Kobel ndali përpjekjet e Cyle Larin dhe Ali Ahmed, ndërsa Jonathan David nuk arriti të konkretizojë një rast të mirë para pushimit.

Zvicra e nisi furishëm pjesën e dytë dhe kaloi në epërsi vetëm 40 sekonda pas rifillimit. Johan Manzambi harkoi ulët nga e djathta, ndërsa Rubén Vargas realizoi për 1:0.

Epërsia u dyfishua në minutën e 56-të. Pas një topi të gjatë, Embolo shërbeu për Manzambin, i cili mposhti Crépeau për 2:0 dhe shënoi golin e tij të tretë në këtë Botëror.

Kanadaja reagoi pas ndryshimeve të bëra nga përzgjedhësi Jesse Marsch. Presioni i vendasve u shpërblye kur Nathan Saliba asistoi për Promise David, i cili ngushtoi rezultatin në 2:1 pak çaste pasi ishte futur në lojë.

Në minutat e fundit, Kanadaja kërkoi golin e barazimit, por Tani Oluëaseyi dhe Promise David nuk arritën të mposhtnin Kobelin, duke bërë që Zvicra të ruajë avantazhin deri në fund.

Me këtë fitore, Zvicra e përfundon Grupin B në vendin e parë dhe avancon në fazën e 1/16 së finales, ndërsa Kanadaja shkruan histori duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën nokaut të një Kupe Bote.

Kanadezët e mbyllën grupin në vendin e dytë, para Bosnjë e Hercegovinës falë golaverazhit më të mirë. /rekordi.net

Share This