
Shtatë të vrarë në sulme të reja izraelite në Liban
Pesë persona, përfshirë një fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit në Luginën Bekaa në Liban, njoftoi sot agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA.
Dy palestinezë të tjerë humbën jetën në një sulm të veçantë pranë qytetit bregdetar jugor të Tyre, sipas të njëjtit burim.
Ushtria izraelite deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë sulm të kryer nga forcat e saj gjatë natës.
Përplasjet e vazhdueshme në Liban po hedhin hije mbi bisedimet që po zhvillohen në Zvicër mes negociatorëve të lartë amerikanë dhe iranianë.
Burime të sigurisë libaneze thanë se forcat tokësore izraelite po monitorojnë nga afër një kodër me rëndësi strategjike pranë Nabatiyeh, në verilindje të Tyre, të cilën ende nuk e kanë marrë nën kontroll.
Sipas tyre, aty fshihen luftëtarë të Hezbollah dhe komandantë të Trupave të Gardës Islamike Revolucionare të Iranit.
Ndërkohë, media izraelite njoftoi se ushtria izraelite e kontrollon tashmë zonën. Mendohet se kodra strehon një bazë të fortifikuar nëntokësore të ndërtuar me mbështetje iraniane, e konsideruar një nga qendrat më të rëndësishme të komandës dhe kontrollit të Hezbollahut në jug të Libanit.
Hezbollahu i ka mohuar këto raportime përmes rrjetit televiziv Jazeera duke pretenduar se ato po përdoren nga Izraeli për të ngritur moralin e trupave pas dështimit për të marrë nën kontroll kodrën. Tre javë më parë, forcat izraelite pushtuan Kështjellën Beaufort , një fortesë që daton nga shekulli i 12-të.
Përleshjet në rajon kanë qenë të shpeshta.
Izraeli akuzon Hezbollahun për shkelje të përsëritura të armëpushimit aktual të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani, ndërsa kundërpërgjigjet izraelite po rrezikojnë stabilitetin e marrëveshjes.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 4 000 persona janë vrarë dhe mbi 12 000 të tjerë janë plagosur në konfliktin në Liban. që nga fillimi i marsit.

