
Vance: SHBA dhe Irani drejt një marrëveshjeje paraprake, pritet publikimi para së premtes
Shtetet e Bashkuara dhe Irani po ecin drejt finalizimit të një marrëveshjeje paraprake që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve dhe hapjen e një procesi negociatash për çështjen bërthamore dhe sigurinë rajonale
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump mund të vendosë ta publikojë dokumentin para së premtes, duke shtuar se bëhet fjalë për një Memorandum Mirëkuptimi “shumë të përgjithshëm”.
Sipas tij, dokumenti është rreth një faqe e gjysmë dhe shërben si kuadër bazë për negociatat e ardhshme mes palëve.
Ai tha se marrëveshja përfshin angazhime të përgjithshme të Iranit për “paqen dhe stabilitetin rajonal”, përfshirë ndalimin e financimit të grupeve të caktuara dhe një zotim të verifikueshëm për moszhvillimin e armëve bërthamore.
Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se një element i mundshëm i marrëveshjes është edhe rihapja e Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret kryesore të transportit të naftës në botë, me afat të mundshëm të premten, kur pritet edhe ceremonia e nënshkrimit në Gjenevë.
Trump ka deklaruar më herët gjatë bisedimeve me presidentin francez Emmanuel Macron se marrëveshja “është nënshkruar plotësisht”, duke iu referuar një versioni paraprak të dokumentit.
Ndërkohë, në samitin e G7 në Francë pritet të diskutohet situata me Iranin, ku liderët perëndimorë do të shqyrtojnë ndikimin e zhvillimeve të fundit në sigurinë rajonale.
Çfarë parashikon memorandumi?
Marrëveshja parashikon përfundimin e bllokadës detare amerikane të porteve iraniane, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe fillimin e negociatave 60-ditore mbi programin bërthamor të Iranit.
Zyrtarë të lartë amerikanë thanë se marrëveshja zgjat gjithashtu armëpushimin për 60 ditë të tjera, gjatë të cilave të dyja palët do të negociojnë kushtet e një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, detajet kryesore mbeten të paqarta. Teherani ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë të vendosë disa tarifa tranziti në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Trump ka thënë se kalimi do të hapet plotësisht pa taksa duke filluar nga e premtja.
Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se heqja e sanksioneve ose lirimi i aseteve të ngrira iraniane do të varet nëse Teherani i përmbush detyrimet e tij sipas marrëveshjes.
Në të njëjtën kohë, bisedimet teknike mbi programin bërthamor të Iranit, i cili mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve, pritet të fillojnë brenda javës. /rtsh/

