
Maqedonci flet për sigurinë në takim me studentë ndërkombëtarë
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim studentët e nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin studimet në programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich.
Maqedonci në një postim në Facebook ka shkruar se vizita e tyre në Kosovë përkoi me një javë të veçantë për vendin tonë, kur po zhvillohen aktivitetet përkujtimore me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ngjarje që shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.
“Gjatë takimit diskutuam për rrugëtimin e Kosovës nga përpjekjet historike për liri deri te ndërtimi i institucioneve moderne të sigurisë dhe mbrojtjes, luftën e UÇK-së si dhe tranzicionin e FSK-së, zhvillimet aktuale në fushën e mbrojtjes, si dhe ndikimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në sigurinë kombëtare. Po ashtu, u shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat e sigurisë në rajon, partneritetin me aleatët, bashkëpunimin me NATO-n dhe rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ai, raporton rtk.
Maqedonci i ka falënderuar studentët për interesimin, pyetjet e thelluara dhe diskutimin konstruktiv, duke theksuar se këto shkëmbime akademike dëshmojnë për interesimin në rritje për Kosovën, zhvillimin e saj demokratik dhe rolin e saj në arkitekturën e sigurisë në Evropë.

