
Konjufca dënon sulmin në Berlin: Dhuna ekstremiste nuk ka vend në shoqëritë demokratike
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas sulmit të rëndë në Berlin, ku një grua humbi jetën dhe disa persona të tjerë u plagosën pasi një automjet hyri në turmën e pjesëmarrësve gjatë Paradës së Krenarisë.
Konjufca ka shprehur trishtimin e tij për ngjarjen, duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe duke uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.
“Për urrejtjen dhe dhunën ekstremiste nuk mund të ketë vend në shoqëritë tona. Akte të tilla godasin lirinë dhe hapjen mbi të cilat varen shoqëritë demokratike”, ka shkruar Konjufca në platformën “X”.
Ai ka theksuar se Kosova qëndron në solidaritet me Gjermaninë dhe popullin gjerman pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Republika e Kosovës shpreh solidaritet të plotë me Gjermaninë dhe qëndron fuqishëm pranë popullit gjerman në këtë moment të vështirë”, ka deklaruar Konjufca.
Sulmi në Berlin ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.

