
Sulmet e raketave iraniane, Izraeli: Rrugëkalimet me Gazën do të rihapen nesër
Pas mbylljes së tyre për shkak të zjarrit me raketa nga Irani, autoritetet izraelite njoftuan se kalimet me Rripin e Gazës do të rihapen nesër.
“Në përputhje me vlerësimin e situatës operative dhe heqjen e kufizimeve të sigurisë në Izrael, është vendosur të rihapet Kalimi Kerem Shalom duke filluar nga nesër për hyrjen graduale të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës”, tha Koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT).
COGAT shtoi se edhe Kalimi Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, do të “rihapet për lëvizje të kufizuar të njerëzve në të dy drejtimet”.
Ndwrkaq, mw herwt, në deklaratën e tij kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të ndalojë sulmet ndaj Iranit “për momentin”, por theksoi se lufta kundër Teheranit dhe Hezbollahut “nuk ka mbaruar” dhe se Izraeli do të vazhdojë të përgjigjet ndaj çdo sulmi ndaj territorit të tij.
“Pasi Irani sulmoi Izraelin” në mbështetje të Hezbollahut, pas goditjeve hakmarrëse të Izraelit ndaj grupit në Bejrut, “unë urdhërova IDF-në të godasë objektiva ushtarake dhe ekonomike në të gjithë Iranin”, tha Netanyahu në një deklaratë video në gjuhën hebraike, që duket se është regjistruar paraprakisht.
“Për momentin, zjarri në këtë front është ndalur, sepse pas goditjes së regjimit terrorist në Teheran, ai ndaloi së na sulmuari”, tha Netanyahu, duke paralajmëruar se “nëse ai regjim terrorist bën gabimin të na sulmojë sërish, ne do të përgjigjemi me forcë”. /rtsh/

