Sulm i paprecedentë ndaj Shën Peterburgut, Rusia akuzon Ukrainën për ofensivë masive

Sulm i paprecedentë ndaj Shën Peterburgut, Rusia akuzon Ukrainën për ofensivë masive

Autoritetet ruse deklaruan sot se, Ukraina ka ndërmarrë një sulm “të paprecedentë” me dronë ndaj zonës së Shën Peterburgut, ndërsa qyteti po priste ditën e fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Rusisë, raportoi BBC.

Sipas guvernatorit të rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, më shumë se 140 dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonin përreth qytetit.

Ndërkohë, guvernatori i Shën Peterburgut, Alexander Beglov, u bëri thirrje banorëve të qëndronin brenda shtëpive, një masë e tillë e marrë për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se forcat e tij goditën depot e armëve dhe një bazë detare ruse, duke e cilësuar operacionin si një përgjigje të drejtë ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se dronët ukrainas përshkuan rreth 1,000 kilometra, për të goditur arsenalet e marinës ruse dhe bazën detare në Kronstadt, qendra kryesore e Flotës Baltike të Rusisë.

Drozdenko konfirmoi se sulmet shkaktuan zjarr në një objekt ushtarak, pa specifikuar vendndodhjen, ndërsa disa banorë u evakuuan. Ai shtoi se dëmet në ndërtesa ishin të kufizuara.

Sipas Zelensky, një depo nafte në rajonin jugor të Krasnodar Krai, rreth 500 kilometra larg, u godit gjithashtu në kuadër të asaj që Ukraina e quan “goditje me rreze të gjatë”, term që përdoret për sulmet ndaj objektivave në thellësi të territorit rus.

Sulmet vijnë vetëm pak ditë, pasi Ukraina goditi periferinë e Shën Peterburgut, në kohën kur po niste forumi ekonomik, aktiviteti më i rëndësishëm ekonomik i Rusisë, i krijuar për të tërhequr investime të huaja.

Në këtë forum morën pjesë mijëra delegatë nga rreth 130 vende.

Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, refuzoi propozimin e Zelensky për bisedime të drejtpërdrejta për përfundimin e luftës, duke deklaruar se një armëpushim do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u rigrupuar ushtarakisht.

Putini përsëriti se lufta do të përfundonte vetëm kur të arriheshin objektivat e Rusisë, përfshirë tërheqjen e Ukrainës nga rajonet e Donetskut, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, si dhe heqjen dorë nga synimi për anëtarësim në NATO.

Nga ana tjetër, Ukraina ka refuzuar çdo lëshim territorial, duke argumentuar se koncesionet ndaj Moskës do të inkurajonin agresione të tjera në të ardhmen.

Ndërkohë, në rajonin e pushtuar të Luhanskut, autoritetet e mbështetura nga Rusia pezulluan shërbimet e autobusëve në dy autostrada dhe kufizuan transportin hekurudhor, pas një vale sulmesh ukrainase me dronë, që kanë goditur logjistikën ushtarake ruse.

Sipas analistëve, që nga fillimi i muajit maj janë goditur më shumë se 200 kamionë dhe mbi 30 cisterna karburanti ruse.

Gjatë viteve të fundit, Ukraina ka zhvilluar ndjeshëm industrinë e saj të mbrojtjes dhe tashmë është në gjendje të kryejë rregullisht sulme të thella brenda territorit rus, duke u fokusuar kryesisht në infrastrukturën energjetike dhe objektet e naftës, që konsiderohen jetike për makinerinë ushtarake të Moskës. /atsh/

Share This