BE zhbllokon 10 miliardë euro për Hungarinë pas ndryshimit politik në Budapest

BE zhbllokon 10 miliardë euro për Hungarinë pas ndryshimit politik në Budapest

Komisioni Evropian ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje parimore me qeverinë e re hungareze për zhbllokimin e një pakete fillestare prej 10 miliardë eurosh nga fondet e ngrira të Bashkimit Evropian. Vendimi u bë publik gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Bruksel midis Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar.

Ky zhvillim shënon një kthesë institucionale në marrëdhëniet dypandëshe, të cilat për vite me radhë u karakterizuan nga ngërçi dhe sanksionet financiare për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit në Hungari.

Strukturimi i paketës financiare dhe ndikimi ekonomik

Marrëveshje e plotë synon një kuadër total prej deri në 16.4 miliardë eurosh, i cili është i ndarë në tre kapituj kryesorë sipas kritereve të performancës dhe reformave.

Fondi i rimëkëmbjes (10 miliardë euro) përfshin 6.5 miliardë euro grante dhe 3.5 miliardë euro kredi. Këto burime do të alokohen për projekte të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes (NRRP) deri në gusht, ku 1.5 miliardë euro do të shkojnë për rrjetin energjetik dhe 2 miliardë euro për rikapitalizimin e bankës publike të zhvillimit (MFB).

Fondet e kohezionit (4.2 miliardë euro), Brukseli ka konfirmuar zyrtarisht “përparimin” në këtë dosje, duke hapur rrugën për lëvrimin e tyre të mëvonshëm.

Sektori strategjik dhe arsimi 1.8 miliardë euro nga kreditë do të përdoren për rinovimin e rrjetit hekurudhor periferik, ndërsa pjesa tjetër do të financojë projekte të Inteligjencës Artificiale dhe programin satelitor Iris2. Gjithashtu, studentët hungarezë do të riintegrohen në programin Erasmus që në vitin e ardhshëm akademik.

Gjatë deklaratës së saj, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi drejtimin e ri politik të Budapestit:

“Qeveria juaj po vepron shpejt dhe me vendosmëri për të përmbushur premtimet që i keni bërë popullit hungarez: të nxisni rimëkëmbjen ekonomike, të luftoni korrupsionin dhe të rivendosni sundimin e ligjit.”

Kushtëzimi i mbetur dhe verifikimi i sundimit të ligjit

Pavarësisht zhbllokimit të këstit të parë, një pjesë e konsiderueshme e fondeve mbetet e ngrirë nën mekanizmin e kushtëzimit politik. Dosja e tretë, me vlerë 2.2 miliardë euro, nuk parashikohet të lëvrohet përpara verës së vitit 2027, pasi mbetet e lidhur ngushtë me hapat konkretë që Budapesti duhet të ndërmarrë në fushën e lirive akademike dhe të drejtave të njeriut.

Sipas burimeve të brendshme të Bashkimit Evropian, agjenda e reformave mbetet nën monitorim të rreptë:

“Reforma parashikon eliminimin gradual të këtyre strukturave. Megjithatë, trustet universitare do të kërkojnë më shumë kohë, prandaj lirimi i burimeve është caktuar për verën e vitit 2027.”

Përveç reformës universitare për eliminimin e trusteve me interes publik, Hungarisë i kërkohet gjithashtu përputhshmëri e plotë me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, veçanërisht sa i përket ligjit për “mbrojtjen e të miturve”, i cili prek të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Paralelisht me zhvillimet mbi Hungarinë, Komisioni Evropian ka konfirmuar avancimin e agjendës financiare edhe për shtetet e tjera anëtare të rajonit, duke saktësuar përmes zëdhënësit të tij ekzekutimin e “disbursimit të parë prej 6.6 miliardë eurosh për Poloninë.” /rtsh/

Share This