INFRAKOS merr nën menaxhim hekurudhat në veri të Kosovës

INFRAKOS merr nën menaxhim hekurudhat në veri të Kosovës

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se nga sot të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në pjesën veriore të Kosovës janë kthyer nën menaxhim të plotë të ndërmarrjes publike INFRAKOS.

Sipas njoftimit zyrtar, këto prona deri më tani janë mbajtur nën kontroll nga struktura paralele ilegale, ndërsa operacioni për rikthimin e tyre është realizuar në bashkërendim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe INFRAKOS-in.

Autoritetet theksojnë se ky veprim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e rendit institucional, shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe mbrojtjen e aseteve strategjike të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit vlerëson se ky zhvillim do të mundësojë përshpejtimin e rehabilitimit dhe modernizimit të rrjetit hekurudhor në pjesën veriore të vendit, në përputhje me standardet dhe prioritetet zhvillimore.

Në njoftim theksohet gjithashtu se segmenti hekurudhor në veri është pjesë e rëndësishme e Korridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit, duke rritur potencialin ekonomik dhe integrimin infrastrukturor të vendit.

Në fund, Ministria ka falënderuar institucionet e rendit dhe sigurisë për zbatimin efikas të këtij aksioni, si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional gjatë procesit.

Share This