
Konflikti SHBA–Kinë për Tajvanin, rrezik për garë të re armësh bërthamore në Azi-Paqësor
Një studim i publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) me seli në Londër ka paralajmëruar se një konflikt i mundshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për Tajvanin do të rrezikonte të përshkallëzohej deri në nivel bërthamor.
Sipas raportit, të dyja ushtritë ka të ngjarë të ndërmarrin operacione gjithëpërfshirëse që synojnë qendrat e komandës dhe komunikimit të palës kundërshtare, duke e bërë situatën jashtëzakonisht të rrezikshme.
Ky vlerësim u publikua përpara Dialogut Shangri-La, takimi më i madh vjetor i mbrojtjes në Azi që zhvillohet në Singapor nga 29 deri më 31 maj. Në raportin prej 156 faqesh, IISS thekson se bota është në prag të një gare të re armësh bërthamore, me rajonin e Azi-Paqësorit në qendër të saj. “Shtetet rajonale po zgjerojnë arsenalet e tyre bërthamore, ndërsa shtetet jo-bërthamore po ndjekin aftësi sulmi konvencional me rreze të gjatë veprimi, duke sfiduar stabilitetin strategjik”, thuhet në dokument.
Konteksti politik dhe ushtarak
Raporti vjen pas samitit të fundit mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping në Pekin, i cili ka shtuar shqetësimet në Taipei për angazhimin e SHBA-së në mbrojtjen e Tajvanit. Pekini nuk e ka përjashtuar kurrë përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e ishullit, megjithëse ka deklaruar se preferon “ribashkimin paqësor”. Ndërkohë, Kina ka shtuar presionin ushtarak rreth Tajvanit, duke e mbajtur ishullin në gatishmëri të lartë.
Mungesa e mekanizmave mbrojtës
Sipas IISS, aktualisht ka pak prova që sugjerojnë se SHBA dhe Kina kanë vendosur “kangjella mbrojtëse” ose rregulla të qarta angazhimi për të kufizuar synimet ndaj qendrave të komandës dhe komunikimit. Kjo mungesë mekanizmash e bën shumë të lartë rrezikun e përshkallëzimit bërthamor në rast konflikti.
Daniel Salisbury, bashkëpunëtor i lartë i IISS, theksoi se ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik zhvillonin biseda të gjata për kontrollin e armëve, me Kinën nuk ekziston një kulturë e tillë diskutimi. Ai shtoi se arsenali bërthamor i Kinës është i fshehur dhe kjo e bën dialogun edhe më të ndërlikuar.
Rritja e arsenalit bërthamor
Raporti nënvizon se Kina po zgjeron arsenalin e saj bërthamor më shpejt se çdo fuqi tjetër. Një dokument i Pentagonit i publikuar në dhjetor parashikon se Kina mund të ketë deri në 1,000 koka bërthamore deri në vitin 2030, nga 620 që ka aktualisht.
Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka rreth 4,400 koka bërthamore aktive, SHBA-ja 3,700. /rtsh/

