
ASK: Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin më të fundit për Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN), i cili tregon se sektori i ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme të kostove gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, në TM1 2026, krahasuar me TM4 2025, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit është rritur për 2.5 për qind. Faktorët kryesorë që ndikuan në këtë rritje janë transporti me 5.9 për qind, pagat me 2.8 për qind, kostot tjera me 2.6 për qind, materialet ndërtimore me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind.
Në anën tjetër, ASK-ja ka bërë të ditur se ulje është regjistruar vetëm te energjia, e cila ka rënë për 3.9 për qind gjatë kësaj periudhe.
Raporti evidenton gjithashtu një rritje vjetore të kostos së ndërtimit. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, IKN-ja është rritur për 4.3 për qind në TM1 2026.
Rritja më e madhe në baza vjetore është shënuar te transporti me 11.5 për qind, ndërsa pagat janë rritur për 8.6 për qind. Po ashtu, kostot tjera kanë shënuar rritje prej 6.2 për qind, energjia 5.5 për qind, materialet 3.2 për qind dhe makineritë 0.7 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i ndërtimit vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme për shkak të rritjes së kostove operative, të ndikuara kryesisht nga transporti dhe fuqia punëtore.

