Teherani reagon ndaj Trump: SHBA dhe aleatë e saj të mos bëjnë një gabim tjetër strategjik

Teherani reagon ndaj Trump: SHBA dhe aleatë e saj të mos bëjnë një gabim tjetër strategjik

Zyrtarët iranianë, nga udhëheqja më e lartë deri te komandantët ushtarakë, po ecin paralelisht në dy pista të ndryshme.

Nga njëra anë, ata po tregojnë gatishmëri dhe qëndrim të fortë sfidues ndaj retorikës së Presidentit amerikan Donald Trump.

Nga ana tjetër, po sinjalizojnë se janë të hapur për negociata me Shtetet e Bashkuara, duke përdorur Pakistanin si ndërmjetës.

Sipas Teheranit, retorika kërcënuese e presidentit Trump konsiderohet e papranueshme nga Teherani.

Më herët, komandanti i Shtabit Qendror të Ushtrisë iraniane deklaroi:“Ne paralajmërojmë Amerikën dhe aleatët e saj që të mos bëjnë një gabim tjetër strategjik dhe llogaritje të gabuar.”

Sipas burimeve në Teheran, Irani po tenton të ruajë një balancë të brishtë: projeksion force dhe gatishmëri për përgjigje nga njëra anë, dhe hapësirë për dialog diplomatik nga ana tjetër, transmeton Al Jazeera.

Ndërkaq, më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar sërish për Iranin gjatë një takimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë duke theksuar se SHBA mund të kryejnë sulme të reja ushtarake kundër Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Gjithashtu, Trump ka deklaruar se Teherani po “lutet” për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit.

Sipas presidentit Trump, forcat amerikane kanë “shkatërruar” aftësitë ushtarake të Iranit dhe se udhëheqja iraniane është në pozitë të dobët, duke kërkuar me ngulm një marrëveshje për të ndalur armiqësitë.

“Ata po luten për një marrëveshje, jo unë”, ka thënë Trump në deklaratat e tij të fundit, duke shtuar se SHBA janë gati të godasin “shumë fort” nëse bisedimet nuk japin rezultate konkrete.

Këto deklarata vijnë në mes të një periudhe tensionesh të larta midis SHBA-së (dhe aleatëve të saj, përfshirë Izraelin) dhe Iranit, pas operacioneve ushtarake të vitit 2026.

Trump ka përmendur se kishte një sulm të planifikuar për të martën, por e ka shtyrë atë për disa ditë (ose më shumë) pas kërkesave të aleatëve në Gjirin Persik, të cilët besojnë se një marrëveshje është afër.

Ai ka theksuar se ushtria amerikane mbetet në gatishmëri të plotë për një “sulm në shkallë të gjerë” në çdo moment nëse Irani nuk pranon kushtet. /rtsh/

Share This