
Rooney kritikon ashpër Salah-un pas deklaratave ndaj Slot
Legjenda e Manchester United, Wayne Rooney, ka kritikuar ashpër Mohamed Salah pas deklaratave të këtij të fundit ndaj trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot.
Salah deklaroi se Liverpooli duhet të rikthehet te futbolli ofensiv, stil që sipas tij i frikëson kundërshtarët, pas humbjes 4-2 ndaj Aston Villas që ka goditur rëndë shpresat e klubit për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi egjiptian do të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit, pasi gjatë qëndrimit në “Anfield” realizoi 257 gola dhe fitoi gjashtë trofe madhorë me klubin nga Merseyside.
Pas këtyre komenteve, Rooney reagoi ashpër duke thënë se Salah nuk duhej të sulmonte publikisht trajnerin në momentet e fundit te klubi.
“Më duket e trishtueshme pas gjithçkaje që ai ka bërë dhe arritur te Liverpooli. Nuk është momenti që ai të dalë publikisht dhe të godasë sërish Arne Slotin”, tha Rooney.
Ish-kapiteni i Manchester United shtoi se komentet e Salah janë një mënyrë për të kërkuar rikthimin e stilit të Jurgen Klopp, por sipas tij egjiptiani nuk është më në gjendje të përballojë atë intensitet loje.
“Ai po thotë në thelb se dëshiron futbollin e Jurgen Kloppit. Por unë nuk mendoj se Mohamed Salah mund ta përballojë më atë stil futbolli. Besoj se këmbët e tij nuk e mbajnë më atë ritëm dhe intensitet të lartë”, u shpreh Rooney.
Ai tregoi edhe një histori personale nga koha kur kishte mosmarrëveshje me legjendën e United, Alex Ferguson.
“Nëse do të isha Arne Slot, nuk do ta lejoja as afër stadiumit në ndeshjen e fundit. Edhe mua më ka ndodhur me Alex Fergusonin. Kishim mosmarrëveshje dhe ai më la jashtë skuadrës në ndeshjen e tij të fundit në Old Trafford”, pohoi ai.
Rooney shtoi se Salah me deklaratat e tij ka vënë në pozitë të vështirë edhe bashkëlojtarët që do të vazhdojnë te Liverpooli sezonin e ardhshëm.
“Ai praktikisht hodhi bombën dhe tha se nuk beson te Arne Slot. Në të njëjtën kohë, ka futur në presion edhe bashkëlojtarët që do të mbeten në klub”, përfundoi Rooney.
Sezoni pa trofe i Liverpoolit do të mbyllet këtë të diel në shtëpi ndaj Brentfordit, në atë që mund të jetë edhe paraqitja e fundit e Mohamed Salah me fanellën e “The Reds”.

