Tmerr në qendër të Modenës, një person përplas me makinë dhjetë këmbësorë, disa në gjendje kritike për jetën, plagos me thikë një kalimtar që tentoi ta bllokonte, prangoset nga policia

Tmerr në qendër të Modenës, një person përplas me makinë dhjetë këmbësorë, disa në gjendje kritike për jetën, plagos me thikë një kalimtar që tentoi ta bllokonte, prangoset nga policia

Një pasdite e zakonshme fundjave është shndërruar në një skenë tmerri dhe çmendurie në qendrën historike të Modenës. Një makinë ka përshkuar me shpejtësi rrugën kryesore “Via Emilia Centro”, duke marrë përpara turmat e qytetarëve që po shijonin shëtitjen e së shtunës pasdite.

Pasi ka goditur disa automjete dhe rreth një duzinë këmbësorësh, shoferi ka nxjerrë thikën duke sulmuar kalimtarët që tentuan ta bllokonin. Bilanci paraprak raporton për rreth dhjetë të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje jashtëzakonisht kritike për jetën.

Dinamika, 200 metra çmenduri mbi këmbësorët

Sipas raportimeve të para, automjeti ka ardhur me shpejtësi të lartë nga zona e Largo Garibaldi dhe është ngjitur në Via Emilia. Makina ka ecur për rreth 200 metra mes përmes turmës së dendur të njerëzve përpara se të ndalonte, duke lënë pas një rrugë të mbushur me njerëz të shtrirë dhe automjete të dëmtuara. Makina që goditi njerëzit dhe mjetet e tjera thuhet se është e tipit “Citroen C3”.

Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, drejtuesi i mjetit dyshohet se është një shtetas i huaj në gjendje të dehur. Sapo ka dalë nga makina, burri u përpoq të ikte me vrap nëpër rrugë.

Reagimi i qytetarëve dhe sulmi me thikë

Përballë skenës tragjike, reagimi i qytetarëve ka qenë i menjëhershëm. Burri u rrethua menjëherë nga disa qytetarë dhe kalimtarë të rastit që u përpoqën ta ndalonin. Në këtë moment, ai dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka plagosur të paktën një nga kalimtarët që po tentonte ta bllokonte, përpara se të nënshtrohej përfundimisht dhe t’u dorëzohej forcave të rendit.

Burri u arrestua më pas nga forcat e rendit direkt në vendngjarje, në Via Emilia, ku po zhvillohen procedurat e shoqërimit.

Alarm i kuq në vendngjarje

E gjithë zona e qendrës historike ku ndodhi ngjarja është izoluar plotësisht dhe është rrethuar me shirit të kuq e të bardhë nga forcat e sigurisë. Shërbimi i urgjencës mjekësore (118) ka dërguar ambulanca të shumta që po lëvizin rreth vendit të ngjarjes për t’u dhënë ndihmën e parë dhe për të transportuar të plagosurit, disa prej të cilëve janë në gjendje mjaft të rëndë.

Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta të Karabinierëve, Policisë dhe Guardia di Finanza për të menaxhuar situatën kaotike dhe për të nisur hetimet zyrtare mbi këtë tragjedi.

Share This