Man City mund Crystal Palace, mban gjallë ëndrrën për titull

Man City mund Crystal Palace, mban gjallë ëndrrën për titull

Manchester City ka mbajtur gjallë shpresat për titullin në Premier League, pasi triumfoi me rezultat bindës 3-0 ndaj Crystal Palace, raporton Rekordi.net.

Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola vazhdoi serinë pozitive në shtëpi, duke shkuar në 17 ndeshje pa humbje, ndërsa tani ndodhet vetëm dy pikë prapa Arsenal me edhe dy javë deri në fund të sezonit.

Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe rrezikuan herët me Jean-Philippe Mateta, por portieri Gianluigi Donnarumma reagoi në mënyrë fantastike për ta shmangur golin.

City dominoi posedimin, por e pati të vështirë të krijonte raste të pastra deri në minutën e 33-të, kur Phil Foden asistoi bukur me thembër për Antoine Semenyo, i cili realizoi për 1-0.

Pak para pushimit, vendasit dyfishuan epërsinë. Sërish në rolin e asistuesit ishte Foden, ndërsa kësaj radhe golin e shënoi Omar Marmoush.

Në pjesën e dytë, Crystal Palace provoi të reagojë me inkuadrimin e disa lojtarëve ofensivë, por City kontrolloi lojën pa shumë probleme. Në minutën e 84-të, Savinho vulosi fitoren 3-0 pas një asistimi të bukur nga zëvendësuesi Rayan Cherki.

Crystal Palace tashmë ka vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit në kampionat, ndërsa fokusi i skuadrës është zhvendosur te finalja e UEFA Conference League ndaj Rayo Vallecano.

Nga ana tjetër, Manchester City tani përgatitet për finalen e FA Cup ndaj Chelsea, duke mbajtur njëkohësisht syrin edhe te gara për titull në Premier League. /Rekordi.net

Share This