
Ramush Haradinaj: AAK është gati për garën zgjedhore
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, kryetari Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se është miratuar lista e kandidatëve për deputetë dhe se Ardian Gjini është zgjedhur bartës i listës dhe mandatar për të udhëhequr qeverinë e ardhshme.
Haradinaj tha se janë miratuar edhe ndryshime statutare që synojnë ta bëjnë partinë më dinamike dhe transparente, ndërsa u konfirmua përgatitja për Kuvendin Zgjedhor të AAK-së më 24 maj.
Sipas tij, partia është e gatshme për zgjedhjet dhe synon të ofrojë alternativë të qëndrueshme për qeverisjen e vendit.
Postimi i Ramush Haradinajt:
Sot kemi mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën morëm vendime të rëndësishme për rrugëtimin e mëtutjeshëm politik të Aleancës.
Në këtë takim, Këshilli i Përgjithshëm aprovoi me shumicë votash Ardian Gjinin, bartës së listës dhe mandatar për të udhëhequr me qeverinë e vendit që do të dalë pas zgjedhjeve, si dhe listën e kandidatëve për deputetë.
Pikë tjetër e rëndësishme ishte aprovimi i ndryshimeve statutare, të cilat do ta bëjnë Aleancën një organizatë edhe më dinamike, transparente dhe të hapur për proceset demokratike brenda saj. Këto ndryshime i paraprijnë Kuvendit Zgjedhor të Aleancës që do të mbahet më 24 maj, për të cilin u konfirmua se përgatitjet finale kanë përfunduar me sukses.
Gjatë mbledhjes, diskutuam edhe për mobilizimin e degëve në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
AAK është gati për garën zgjedhore dhe mbetet e përkushtuar që përmes listës së saj fituese, t’u ofrojë qytetarëve alternativën më të qëndrueshme për qeverisjen e vendit.

