
Hoti: Pas rezultatit të dobët më 28 dhjetor, LDK-së i nevojitet lidership i ri
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se pas rezultatit tejet të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri.
Përmes një postimi publik, Hoti ka theksuar se standardi i përgjegjësisë politike pas humbjeve zgjedhore është vendosur në vitin 2021 dhe se çdo devijim nga ky standard përbën shkelje të statutit dhe deformim të përgjegjësisë politike të lidershipit aktual.
“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të kryetarit, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht dhe më pas zgjedh kryetarin e ri. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike”, ka shkruar Hoti.
Ai ka rikujtuar se standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është promovuar pikërisht nga lidershipi aktual i partisë, duke theksuar se shmangia e tij sot bie ndesh me parimet e shpallura më herët.
“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe për një riorganizim të thellë në të gjitha nivelet, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka theksuar Hoti.
Sipas tij, besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar rëndë dhe nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi.
Hoti ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse lidershipi aktual nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hap rrugë për reformim, ai do të japë dorëheqje nga organet drejtuese të partisë.
“Nëse nuk respektohet statuti dhe nuk hapet rruga për reformim të vërtetë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së. Ky është një qëndrim politik parimor, në mbrojtje të standardeve dhe identitetit politik të LDK-së”, ka theksuar ai.
Në fund, Hoti ka bërë thirrje për unitet, reflektim dhe përgjegjësi kolektive, duke vlerësuar se LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, i cili duhet të vihet në shërbim të interesit të qytetarëve dhe shtetit përmes një reformimi të thellë dhe statutar.


