
Trump: Armëpushimi me Iranin në vdekje klinike, presidenti amerikan akuzon Teheranin për pabesi: Kanë ndryshuar mendje për marrëveshjen
Presidenti Donald Trump tha se ishte tejet i zhgënjyer nga ecuria e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Gjatë një deklarate për mediat nga Zyra Ovate, ai i cilësoi udhëheqësit iranianë si njerëz të pabesë që ndryshojnë mendje në momentin e fundit.
“Kam biseduar katër apo pesë herë dhe sapo arrijmë dakordësinë, ata tërhiqen,” u shpreh Trump i revoltuar. Sipas tij, armëpushimi që zgjat prej një muaji është aktualisht në “vdekje klinike” dhe tepër i brishtë për shkak të provokimeve në ngushticën e Hormuzit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi Teheranin se ka shkelur premtimin për dorëzimin e uraniumit të pasuruar, duke mos e përfshirë këtë pikë në dokumentin zyrtar. Presidenti theksoi se ka planin më të mirë në histori për paqen, por kushti i tij i panegociueshëm mbetet ndalimi i programit bërthamor.
“Plani im është shumë i thjeshtë: Irani nuk mund dhe nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore,” deklaroi ai prerë. Trump bëri një ndarje mes “të moderuarve” dhe “të çmendurve” në Iran, duke shtuar se këta të fundit duan luftë deri në fund. Ai e quajti propozimin më të fundit të Iranit si “budalla” dhe plotësisht të papranueshëm për interesat e Shteteve të Bashkuara. Megjithëse disa liderë të rinj i duken më të arsyeshëm, Trump vuri në dukje se vonesat e qëllimshme në dorëzimin e dokumenteve po pengojnë çdo marrëveshje. /rtsh/

