
Kurti në Shtime: Shkollat më efiçiencë, kushte më të mira për nxënësit
Në Shtime është bërë përurimi i projektit të renovimit të shkollave në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë, në një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se për një proces mësimor sa më të suksesshëm, shkolla duhet të jetë një ambient i ngrohtë, funksional, i ndriçuar dhe dinjitoz për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Për një proces mësimor sa më të suksesshëm, atëherë duhet që shkolla të jetë vend i ngrohtë, i ndriçuar, funksional dhe dinjitoz. Në këtë shkollë, masat për efiçencën energjetike janë gjithsej mbi 330,000 euro dhe nga ky investim përfitojnë afër 500 nxënës dhe punonjës të shkollës. Objekti i ka tri etazhe me gjithsej 6,350 metra katrorë. Pra, bëhet fjalë për një objekt të madh me përdorim të përditshëm dhe me ndikim të menjëhershëm në jetën shkollore të qindra familjeve të komunës së Shtimes”, tha Kurti.
Sipas tij, para masave të zbatuara, konsumi vjetor i energjisë në këtë objekt ishte përafërsisht 1.25 gigavat-orë, ndërkohë që pas zbatimit të masave, vlerësohet që konsumi do të bjerë në rreth 604 kilovat-orë në vit. “Dhe këto janë mjete të konsiderueshme financiare të cilat nuk do të shkojnë më në humbje të energjisë, por mbeten në shërbim të shkollës dhe të komunës”, tha ai.
Kurti u shpreh se efiçienca energjetike nuk është vetëm term teknik, por përkthehet drejtpërdrejt në kushte më të mira për nxënësit: klasa më të ngrohta, ndriçim më cilësor, ajër më të pastër dhe ambient më të përshtatshëm për mësim.
Ai shtoi se projekti është pjesë e reformave më të gjera të qeverisë në sektorin e arsimit dhe investimeve publike, me synim krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Nxënësve u urojmë mësim sa më të suksesshëm, mësimdhënësve punë sa më të lehtë e më të frytshme, ndërsa shkollës profesionale i dëshirojmë që këto kushte të reja të sjellin edhe më shumë rezultate e suksese në të ardhmen”, shtoi Kurti.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se ky investim është pjesë e një fondi më të gjerë të ndarë nga Qeveria e Kosovës.
“Këtë herë jemi këtu për të përuruar një investim që po bëhet me financim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me një fond në total prej 3.8 milionë euro të cilin e kemi ndarë në dhjetor të vitit 2024 dhe rezultatet e të cilit po i shohim tani. Kjo është në mesin e 13 objekteve komunale, shumica prej tyre shkolla dhe tri prej tyre në Shtime, në të cilat po investohet për të rritur efiçiencën e energjisë. Në këtë shkollë specifikisht, konsumi i energjisë është ulur për përafërsisht mbi 50 për qind”, tha ajo.
Rizvanolli shtoi se Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë po funksionon si një sistem qarkullues, i cili së shpejti pritet të bëhet i vetë-qëndrueshëm. /rtk/

