
Irani akuzon SHBA-të për shkeljen e armëpushimit: Goditje flagrante e ligjit ndërkombëtar
Tensioni midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është rritur ndjeshëm pas një përplasjeje ushtarake gjatë natës së kaluar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike detare në botë për transportin e naftës.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkaktimin e incidentit, duke vënë në provë një armëpushim të brishtë që ishte arritur para disa javësh.
Sipas deklaratave të Ministrisë së Jashtme iraniane, veprimi amerikan ishte “një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe një shkelje e armëpushimit”.
Zëdhënësi Esmaeil Baqaei tha për agjencinë ISNA: “Veprimi i kryer natën e kaluar ishte një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe një shkelje e armëpushimit. Në të njëjtën kohë, mbrojtësit e vendit i dhanë një ‘goditje të madhe’ armikut dhe zmbrapsën me forcë të plotë agresionin e armiqve.”
Forcat e përbashkëta ushtarake iraniane (Khatam al-Anbiya Central Headquarters) akuzojnë SHBA-në se ka sulmuar fillimisht një tanker nafte iranian që po lëvizte nga ujërat bregdetare pranë Jask drejt Ngushticës së Hormuzit, si dhe një anije tjetër pranë portit të Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe. Po ashtu, SHBA-së i vihet në barrë kryerja e sulmeve ajrore mbi zona civile në ishullin strategjik Qeshm, si dhe në zonat bregdetare të Bandar Khamir dhe Sirik në jug të Iranit. Si përgjigje, Irani thotë se ka goditur anije ushtarake amerikane lindje të ngushticës dhe jug të portit Chabahar.Versioni amerikan:
Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara pohojnë se tre destrojerë të marinës amerikane u sulmuan pa provokim nga Irani me raketa, drone dhe anije të vogla teksa po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Presidenti Donald Trump e përshkroi incidentin duke thënë se anijet amerikane “kaluan me sukses” nën zjarr, por pa dëmtime.
Ngushtica e Hormuzit është jashtëzakonisht e rëndësishme pasi në kohë normale transporton rreth 20% të naftës së botës. Që nga fillimi i konfliktit më të gjerë, Irani e ka bllokuar kryesisht atë, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. /rtsh/

