
Avdullahu: Hoffenheimi është si familje, synojmë Ligën e Kampionëve
Mesfushori kosovar Leon Avdullahu po kalon sezonin e tij të parë të suksesshëm në Bundesligë, ku tashmë është shndërruar shpejt në një nga lojtarët kyç të TSG Hoffenheim.
22-vjeçari i Kombëtares së Kosovës, ka pasur ndikim të menjëhershëm në skuadër, duke rritur nivelin e lojës së Hoffenheimit, i cili vazhdon garën për një vend në kompeticionet evropiane, përfshirë edhe ëndrrën për Ligën e Kampionëve.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Bundesligës, Avdullahu ka theksuar se ndihet plotësisht i integruar në klub dhe se synimi i tij është të vazhdojë zhvillimin në nivelet më të larta.
“Ndjehem shumë rehat këtu. Hoffenheimi më duket si një familje. Kushtet janë ideale që unë të vazhdoj të zhvillohem dhe të luaj në Evropë sezonin e ardhshëm,” ka deklaruar ai.
Hoffenheimi ka histori të kufizuar në garat evropiane, me paraqitje sporadike në Ligën e Evropës dhe vetëm një pjesëmarrje në fazën grupore të Ligës së Kampionëve në sezonin 2018/19.
Aktualisht, klubi synon rikthimin në elitën evropiane, pas sigurimit të pjesëmarrjes në Ligën e Evropës dhe garës ende të hapur për Ligën e Kampionëve.
Avdullahu ka folur edhe për situatën e fundit në kampionat, pas barazimit 3-3 ndaj Stuttgartit, që ka komplikuar garën për vendet e para.
“Është shumë e vështirë për t’u pranuar, ndihet si një humbje. Para kartonit të kuq kishim kontrollin e ndeshjes, por më pas u bëmë të paqëndrueshëm dhe nuk ishim mjaftueshëm klinikë,” ka shtuar mesfushori.
Deri në fund të sezonit mbeten edhe dy ndeshje, ndaj Werder Bremen dhe Borussia Mönchengladbach, të cilat do të jenë vendimtare për fatin e Hoffenheimit në garën evropiane.
Avdullahu ka folur edhe për ambientin brenda skuadrës, duke vlerësuar bashkëlojtarët e tij nga Kosova, Albian Hajdari dhe Fisnik Asllani, si dhe për ndikimin e tyre pozitiv në grup.
“Ndihem shumë mirë që kemi lojtarë që i njoh prej kohësh. Kjo e bën më të lehtë përshtatjen dhe punën në skuadër,” është shprehur ai.
Në fund, mesfushori kosovar ka zbuluar edhe inspirimet e tij në futboll, duke veçuar ish-mesfushorin e Barcelonës, Sergio Busquets, si dhe kapitenin e Kosovës, Granit Xhaka, për lidershipin dhe qetësinë në fushë.
“Xhaka është një lider si brenda ashtu edhe jashtë fushës, dhe kam mësuar shumë nga ai,” ka përfunduar Avdullahu.

