20 korriku si afat për aktgjykimin në Hagë, Paneli Gjykues thotë se mund të ketë shtyrje tjetër nëse iu duhet

20 korriku si afat për aktgjykimin në Hagë, Paneli Gjykues thotë se mund të ketë shtyrje tjetër nëse iu duhet

Një datë e re është caktuar deri kur mund të shpallet aktgjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së. Gjykata Speciale tha se 20 korriku është afati deri kur gjykata mund të shpallë aktgjykimin. Por, as kjo s’është e sigurt sepse mund të ketë edhe shtyrje tjetër nëse Trupit Gjykues i “bëhet absolutisht e nevojshme”.

Kështu deklaroi zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, në një përgjigje sot për Gazetën Express. Ajo tha se Trupi Gjykues ka nxjerrë një vendim për të zgjatur afatin për shpalljen e Aktgjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të “kompleksitetit të rastit”.

Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur, shpjegoi ajo, derisa paralajmëroi se mund të ketë edhe datë tjetër pas 20 korrikut.

“Trupi Gjykues shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme bëhet absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, tha ajo”.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, sipas afateve procedurale.

Në fjalët përmbyllëse të gjyqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale, në Hagë, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – u deklaruan sërish të pafajshëm, duke thënë se akuzat ndaj tyre nuk janë provuar gjatë gjykimit.

Fjalën përfundimtare ata e dhanë në shkurt të këtij viti.

Share This