
Saka dërgon Arsenalin në finalen e Champions-it pas 20 vitesh
Bukayo Saka ishte heroi i mbrëmjes në “Emirates”, duke i siguruar Arsenal një fitore minimale 1-0 ndaj Atletico Madrid dhe kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Skuadra londineze arrin kështu vetëm finalen e dytë në historinë e saj në këtë kompeticion, saktësisht 20 vite pas së parës.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe rastin e parë e kishin mysafirët, kur Julian Alvarez, edhe pse në dyshim për shkak të një dëmtimi, goditi jashtë nga një pozicion i favorshëm. Më pas, Declan Rice shpëtoi vendasit me një ndërhyrje vendimtare ndaj Giuliano Simeone.
Arsenali gradualisht mori kontrollin e lojës, duke krijuar disa gjysmë-raste, ndërsa goli vendimtar erdhi në fundin e pjesës së parë. Saka përfitoi nga një top i kthyer nga portieri Jan Oblak dhe e dërgoi në rrjetë për 1-0.
Në pjesën e dytë, madrilenët tentuan të reagojnë. Antoine Griezmann rrezikoi seriozisht portën e David Raya, ndërsa Alexander Sørloth humbi një mundësi të artë në fund për ta çuar ndeshjen në vazhdime.
Megjithatë, mbrojtja solide e Arsenalit rezistoi deri në fund, duke regjistruar një tjetër ndeshje pa pësuar gol në Evropë këtë sezon.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta vazhdon të mbetet e pamposhtur në këtë edicion të Champions-it dhe tashmë pret finalen e madhe që do të zhvillohet më 30 maj në Budapest, ku do të përballet me fituesin e çiftit Paris Saint-Germain – Bayern Munich.
Një natë historike për “Topçinjtë”, që rikthehen në skenën më të madhe evropiane me ëndrrën për trofeun.

