
Fevziu njofton për intervistë me Thaçin: Reflektimet më interesante që kam lexuar…të hënën në ora 22:00
Moderatori i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu bëri të ditur se të hënën e javës që vjen, do të transmetojë një intervistë me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Fevziu vuri në dukje se Thaçi është përgjigjur në pyetjet që i kishte dërguar në Hagë që në janar, por se përgjigjet kanë ardhur vetëm tani. Sipas tij, koha e gjatë për përgjigjet, ka bërë që disa prej tyre të jenë dhe jashtë kontekstit.
“Në këtë zarf, që ka mbërritur në adresën e emisionit Opinion në Tv Klan e është dërguar nga Dhomat e Specializura të Gjykatës Speciale të Kosovës, është një intervistë, që unë i kam kërkuar ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-lexuesit të Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-drejtuesit të UÇK-së Hashim Thaçi. Ai është përgjigjur që në janar, por përgjigjet kanë arritur në prill. Disa nga përgjigjet janë jashtë realitetit, për shkak se ka pasur zhvillime në 6 muaj. Një pjesë kemi vendosur që të mos e transmetojmë, sepse kanë dalë nga konteksti. Intervista e tij prej 1 orë e 8 minuta është një nga reflektimet më interesante që kam lexuar kohët e fundit. Është reflektimi i një njeriu në izolim prej 6 vitesh, një njeri që e ka nisur jetën me besimin se do të sillte liri për Kosovën. E tani ndodhet në burg, jo për ndonjë krim personal, por për linjën e komandimit të UÇK-së, për të cilën shqiptarët janë krenarë”, tha Fevziu.
E gjithë intervista do të transmetohet ditën e hënën në orën 22:00.Do të jenë vetëm fjalët e Thaçit, që ai i ka shkruar me dorë dhe janë lexuar nga Reis Çiço, për t’i dhënë tonin e duhur.


