IKD: Procesi për zgjedhjen e Presidentit cenon rendin kushtetues

IKD: Procesi për zgjedhjen e Presidentit cenon rendin kushtetues

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se procesi aktual për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës po shoqërohet me shkelje serioze të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare, duke ngritur shqetësime për funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend.

Sipas IKD-së, mungesa e kuorumit në seancën e jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm vetë zhvillimin e procedurës. Kushtetuta e Kosovës kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e seancës dhe zhvillimin e dy raundeve të para të votimit, ndërsa në rastin konkret kanë qenë të pranishëm vetëm 64 deputetë. Në këto rrethana, çdo veprim procedural konsiderohet shkelje e rëndë dhe krijon precedent të rrezikshëm për anashkalimin e normave kushtetuese.

IKD ka kritikuar edhe mënyrën e thirrjes së mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, e cila është bërë vetëm dy minuta para mbajtjes së saj. Një praktikë e tillë, sipas tyre, cenon standardet minimale të transparencës dhe pengon pjesëmarrjen efektive të deputetëve, duke e reduktuar procesin në një formalitet pa legjitimitet të plotë.

Në reagim theksohet gjithashtu se çështja e nominimeve dhe e nënshkrimeve të deputetëve është trajtuar në kundërshtim me kuadrin kushtetues dhe praktikën gjyqësore. Edhe pse më 5 mars 2026 janë propozuar dy kandidatë për President, tërheqja e tyre nga gara nuk i rikthen nënshkrimet në dispozicion për kandidatë të tjerë.

Sipas IKD-së, nënshkrimet konsiderohen të konsumuara në momentin e dorëzimit dhe janë të lidhura ekskluzivisht me kandidatin përkatës.

Ky qëndrim mbështetet edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, konkretisht në rastin KI 47/10, ku theksohet se nënshkrimet nuk mund të tërhiqen në mënyrë arbitrare pasi të jenë dorëzuar. Po ashtu, Rregullorja e Kuvendit lejon tërheqjen e tyre vetëm para dorëzimit zyrtar, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur, raporton rtk.

Në përfundim, IKD vlerëson se kombinimi i mungesës së kuorumit, shkeljeve procedurale dhe keqinterpretimit të rregullave e bën të gjithë procesin juridikisht të pavlefshëm dhe potencialisht të dëmshëm për stabilitetin institucional.

IKD i ka bërë thirrje Kryetares së Kuvendit që të respektojë Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke mos proceduar me asnjë veprim në seancë në mungesë të kuorumit të nevojshëm prej 80 deputetësh.

Share This