
Ardian Krasniqi sfidon Vinko Zadro për kurorën evropiane
Boksieri shqiptar Ardian Krasniqi ka zyrtarizuar kundërshtarin e radhës në karrierën profesioniste. Ai do të përballet me kroatin e pamposhtur Vinko Zadro më 27 qershor në Ludwigsburg, në kuadër të eventit “Showdown For Legacy IV”.
Njoftimi u bë gjatë një konference për media të mbajtur në Stuttgart, ku Krasniqi konfirmoi se kjo përballje do të jetë për titullin e kampionit të Evropës në kategorinë gjysmë të rëndë.
Me një bilanc perfekt prej 12 fitoreve në 12 meçe, Krasniqi synon të vazhdojë serinë pozitive dhe të afrohet edhe më shumë drejt një dueli për titull bote.
Përballë tij do të jetë Zadro, gjithashtu i pamposhtur, çka e bën këtë sfidë një nga më të rëndësishmet në karrierën e boksierit shqiptar. Krasniqi premtoi spektakël në ring, duke theksuar se do të hyjë në meq me agresivitet, që nga gongu i parë me synimin për ta nokautuar kundërshtarin.
Ai shprehu gjithashtu besimin se do ta ketë edhe një herë përkrahjen e fuqishme të publikut shqiptar, i cili tradicionalisht nuk ka munguar në duelet e tij.

