Haradinaj fajëson Kurtin për shkuarje në zgjedhje, thotë se Ardian Gjini do të jetë kandidat për kryeministër

Haradinaj fajëson Kurtin për shkuarje në zgjedhje, thotë se Ardian Gjini do të jetë kandidat për kryeministër

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij lidhur me bisedimet për çështjen e presidentit.

Ai ka thënë se ofertat e tij për partitë opozitare janë mashtrime dhe kalkulime elektorale.

Haradinaj ka thënë se AAK-ja nuk e konsideron të mbyllur çështjen e presidentit, por ka shtuar se atë e ka mbyllur vet Kurti me qasjen që ka aplikuar, pasi sipas tij, ai ka pasur opsione për të gjetur zgjidhje.

“Këto janë veç kalkulime, kamuflazhe dhe mashtrim i pastër. Nuk ka ofertë, këto nuk janë oferta, këto janë me harxhuar fjalë derisa të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se sipas kalendarit dhe afateve kushtetuese 7 qershori mund të jetë data e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

Haradinaj ka thënë se kandidat i AAK-së për kryeministër do të jetë Ardian Gjini, kryetar aktual i komunës së Gjakovës.

“Do të jem pjesë e listës dhe AAK-ja do të ketë një ofertë serioze. Do të garojmë vet në zgjedhje.”, ka shtuar ai.

Share This