
Mbi 2,800 raste të dhunës në familje në 2025, gratë mbi 75% e viktimave
2,815 raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm në vitin 2025. Nga to gjithsej 2,836 kanë qenë me viktima, ndërkaq gratë përbëjnë mbi 75% të viktimave.
Këto të gjetura ishin pjesë e tryezës së diskutimit me temë: “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si u trajtuan gjatë vitit 2025?” nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Në nivel të ndjekjes penale, janë paraqitur 2,453 kallëzime penale, prej të cilave 1,901 kanë rezultuar me aktakuza, duke reflektuar një shkallë relativisht të lartë të procedimit të rasteve”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas GLPS-së, raporti evidenton mos përputhje ndërmjet rasteve të raportuara dhe ndjekjes penale. Prokuroria ka shënuar performancë më të lartë me një shkallë trajtimi prej mbi 90% dhe kohë mesatare prej rreth 38 ditësh për përpunimin e rasteve.
“Ndërsa gjykatat vazhdojnë të përballen me vonesa të konsiderueshme, duke zgjidhur vetëm rreth 56% të rasteve dhe me kohë mesatare prej rreth 281 ditësh për një rast. Po ashtu, ndonëse shumica e rasteve përfundojnë me vendime dënuese, vetëm një pjesë e kufizuar rezulton me dënime efektive, çka ngre shqetësime për politikën ndëshkimore të aplikuar nga sistemi i drejtësisë”, vazhdon GLPS.
Nga monitorimi i 830 seancave në gjykatat themelore, GLPS evidentoi se 448 prej tyre trajtonin dhunën në familje, ndërsa 382 kishin elemente të dhunës në bazë gjinore. Nga të gjeturat e monitorimit, rezulton se 260 seanca u shtynë, kryesisht si pasojë e mungesës së palëve. Përveç vonesave procedurale, vëzhgimi i drejtpërdrejtë nxori në pah mangësi serioze në menaxhimin e rasteve dhe në mënyrën se si trajtohen viktimat gjatë proceseve gjyqësore. /rtk/


