
Paralelet e futbollit me futbollin.. dhe kombin
Shkruan: Mentor Nazarko
Nëpërmjet paraleles sport-politikë post pavarësi shkohet tek një pyetje tjetër e madhe: identitet i ri shtetëror apo kombëtar? A mund ta mbajë dhe si do ta administrojë shteti i ri, shoqëria e re, madhështinë e një suksesi eventual nëpërmjet kualifikimit në botërorin amerikan? Diçka mund të filtrohet si fillim prej fjalëve të presidentit të futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për Top Channel. Vetë futbollist i Prishtinës në vitet 70, ndihmës i Vokrrit të madh, ndërmarrës gjithashtu me eksperiencë jetësore në Zvicër, Ademi ka dëftyer deri më tani modesti, urtësi dhe disiplinë të hekurt. Kurrë nuk i është kundërvënë publikisht Federatës së Shqipërisë, megjithëse nëna i ka marrë lojtarë. Tani mund të ndodhë e anasjellta, ndaj Ademi, ora e të cilit ka ardhur fuqishëm, i bëri thirrje shqiptarëve të gjithë trojeve që të identifikohen me përfaqësuesen e Kosovës. Ka përzgjedhur mençurisht trajnerë zviceranë gjermanikë modestë, por të ngurtë që kanë treguar aftësi për të ujdisur karaktere të vështira lojtarësh (kujtoni Zhegrovën tek rezervat), apo eventualisht manaxherësh e drejtuesish klubesh. I ka mbijetuar me mjeshtëri presioneve të politikës që don ta kontrollojë dhe që sot vetëm hesht para suksesit të Ademit, duke dashur të përfitojë prej energjisë që krijon suksesi i një populli të vogël në një garë botërore miliarda shikuesish.
Futbolli kosovar ka nxitur një ndjenjë të fuqishme përkatësie kolektive, që mund të jetë fillesa e fuqishme e një ndjenje të re kombëtare. Nuk po i referohem sherreve në rrjete sociale të ngjashme me ato mes lacialëve dhe romanëve, se ne kosovarët dimë më mirë se ju te Shqipërisë të luani futboll, etj, etj. As nuk pres që si Mandela futi lojtarë të bardhë me shumicë në ekipin e Afrikës së Jugut, të kemi lojtarë serbë në përfaqësuesen e Kosovës, sepse serbët e udhëhequr nga Beogradi nuk do ta pranojnë këtë ekip si të tyrin. Pres ama që këtij suksesi diferencues diku diku të pjesëve të kombit, por dhe ngjizës të një identiteti të ri, mund t’ i përngjiten inxhinierë brendakosovarë të opinionit, që duan ta kalërojnë, sepse i ngjan vetja si rilindas të kohëve moderne. Apologjetët e kombit kosovar si projekt politik do gjejnë ushqim të përciptë me domosdo për të ushqyer turmat e rrjeteve sociale.
Ja pra që futbolli nuk është vetëm futboll: Kosova ka fituar luftën në 1999, me gjakun e vet dhe armët e NATO-s, ndaj nuk është si Gjermania e 1954, që e humbi Luftën e dytë botërore. Nëse Gjermania humbëse rilindi prej futbollit, po Kosova fituese çfarë mund të arrijë? Nëse Franca e 1998, rigjeti unitetin black-blanc-beur (multietnicitetin), po Kosova çfarë do të prodhojë politikisht e kombëtarisht?
Të presim ballafaqimin me Turqinë- ishalla moti mban mirë, duke kursyer për djelmoshët baltën e stadiumit ish jugosllav- dhe të shohim çfarë do të mbledhë përpara orteku kolektiv i arsyes, dhe i mosarsyes ….


