
Spiropali: Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, hap pozitiv
Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka cilësuar heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si një zhvillim pozitiv dhe një konfirmim të qasjes së duhur institucionale nga Prishtina.
Në një reagim publik, Spiropali theksoi se ky vendim vjen si rezultat i maturisë, koordinimit dhe vendosmërisë së treguar nga institucionet e Kosovës në ushtrimin e sovranitetit me përgjegjësi.
“Kosova ka dëshmuar se di të menaxhojë sfidat në mënyrë të pjekur, dhe kjo është reflektuar në reagimin pozitiv të Bashkimit Evropian. Nuk bëhet fjalë për rastësi, por për vendime të vështira të marra në momentin e duhur”, u shpreh ajo.
Sipas saj, ky moment duhet parë jo vetëm si një arritje, por edhe si një mundësi konkrete për avancim të mëtejshëm në rrugën evropiane. Spiropali theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën nuk duhet konsideruar si një akt simbolik apo solidariteti, por si një hap logjik dhe strategjik.
“Bashkimi Evropian duhet të veprojë në këtë drejtim, duke marrë parasysh edhe kostot e mundshme të vonesave të mëtejshme”, shtoi ajo, raporton rtk.
Në vlerësimin e saj, rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet aktualisht në një moment kyç historik. Sipas Spiropalit, vendet e rajonit përballen me një zgjedhje të qartë: të ecin drejt një faze të re demokratizimi përmes integrimit evropian, ose të mbeten të ekspozuara ndaj krizave të përsëritura dhe institucioneve të brishta.
Ajo nënvizoi se integrimi evropian nuk është më thjesht një aspiratë politike, por një domosdoshmëri për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, zhvillimin ekonomik dhe garantimin e sundimit të ligjit.
“Pa një orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian, rajoni rrezikon të mbetet në periferi. Ndërsa me këtë drejtim, ai bëhet pjesë e një Evrope që ndërton forcë përmes rregullit dhe stabilitetit”, përfundoi Spiropali.


