
Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës: Vrasja po hetohet, në vendin e ngjarjes gjetëm gëzhoja dhe një armë të ftohtë, të dyshuarin e njohim
Policia e njeh dhe është në kërkim të të dyshuarit për vrasjen në Gjakovë, tha zëdhënësi i Policisë për atë rajon, Sheremet Elezaj.
Ai tha në një konferencë për media se rreth orës 05:30 pranuan një informatë se “në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri”.
Elezaj tha se “si pasojë e plagëve të marra, njëri prej këtyre personave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje”.
Ndërsa tregoi se njësitet relevante nga Policia dhe Prokuroria po i kryejnë hetimet e para, Elezaj tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe një armë e ftohtë.
I pyetur nëse i dyshuari është i njohur për Policinë, zëdhënësi tha: “Dorasi, për Policinë, për Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë është i njohur. Do me thënë, ne e njohim”.


