Hamasi i bën thirrje Iranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve të Gjirit

Hamasi i bën thirrje Iranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve të Gjirit

Grupi i armatosur palestinez, Hamas i ka kërkuar Iranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve të Gjirit, në një apel të rrallë drejtuar një prej aleatëve të tij kryesorë, sipas BBC.

Në një deklaratë, organizata e mbështetur nga Teherani u bëri thirrje “Vëllezërve në Iran” të shmangnin shënjestrimin e vendeve fqinje, duke theksuar se shtetet e rajonit duhet të bashkëpunonin për të ruajtur marrëdhëniet vëllazërore.

Megjithatë, Hamasi konfirmoi njëkohësisht se Irani kishte të drejtën të mbrohej nga sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraeli, të cilat sipas tij po vazhdojnë të godasin territorin iranian.

Hamasi tha se po e ndiqte me shqetësim luftën në vazhdim në rajon dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare të punonin për ndalimin e menjëhershëm të konfliktit.

Autoritetet iraniane kanë deklaruar se sulmet e tyre hakmarrëse synojnë bazat amerikane në territorin e vendeve të Gjirit, por shumë prej goditjeve kanë prekur infrastrukturën civile.

Gjatë dy javëve të fundit, sulmet me dronë dhe raketa iraniane janë ndjerë në disa vende të Gjirit.

Të paktën 18 persona janë vrarë në rajon, shumica punonjës sigurie ose punonjës të huaj.

Irani konsiderohet mbështetësi më i madh i Hamasit, duke ofruar fonde, armë dhe mbështetje politike.

Grupi palestinez është pjesë e të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”, një koalicion i lirshëm forcash që synon kundërshtimin e ndikimit amerikan dhe izraelit në rajon.

Hamasi ka dënuar më herët vrasjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei në sulme të përbashkëta amerikano-izraelite në fillim të luftës më 28 shkurt.

Ndërkohë, grupi vazhdon konfliktin me Izraelin në Rripin e Gazës.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja hyri në fuqi në tetor, por palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të shpeshta të marrëveshjes.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, 649 persona janë vrarë në Gaza që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

Lufta në rajon vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa presioni ndërkombëtar për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve po rritet. /rtsh/

Share This