
Milano Cortina 2026, çfarë po ndodh me këto medalje?
Milano Cortina 2026 po përballet me një çështje që tashmë është bërë temë diskutimi në rrjetet sociale: shkëputja e medaljeve nga rripi mbajtës.
Të paktën katër sportistë kanë raportuar probleme të ngjashme, nga amerikania Breezy Johnson te italiania Lucia Dalmasso.
Rasti i parë u shënua nga Breezy Johnson, fituese e medaljes së artë në dishezën e lirë.
“Po kërceja nga emocionet dhe medalja u thye. Jam e sigurt se dikush do ta riparojë”, deklaroi ajo.
Edhe garuesja italiane Lucia Dalmasso, fituese e medaljes së bronzit, tregoi se problemi i kishte ndodhur dy herë: “Një herë në podium dhe një herë në shtrat”.
Probleme të ngjashme janë raportuar edhe nga fituesja e medaljes së argjendtë në ski nordike, Ebba Andersson, patinatorja amerikane Alysa Liu, si dhe biatlonisti gjerman Justus Streloë, të cilët kanë reaguar në rrjetet sociale me pyetjen: “Çfarë po ndodh me këto medalje?”
Medaljet olimpike janë prodhuar nga “Zecca di Stato”, e cila ka reaguar menjëherë pas rasteve të raportuara. Sipas autoriteteve, problemi nuk lidhet me cilësinë apo brishtësinë e medaljeve, por me një sjellje anormale të sistemit të sigurisë kundërmbytje të kapëses, e projektuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Në disa raste, gjatë momenteve të festës dhe lëvizjeve të sportistëve, rripi mbajtës është shkëputur nga medalja, duke bërë që ajo të bjerë në tokë.
Organizatorët kanë njoftuar se teknikë të specializuar do të jenë të pranishëm në të gjitha vendet e garave për të instaluar një pajisje shtesë që garanton sigurinë e plotë të mbajtjes.
Gjithashtu, është konfirmuar se të gjitha medaljet e dëmtuara, edhe nëse dëmi është minimal, do të zëvendësohen.


