Seattle Seahawks, kampion i ri i Super Bowl

Seattle Seahawks, kampion i ri i Super Bowl

Seattle Seahawks është kampion i ri i Super Bowl. Në “Levi’s Stadium” në Santa Clara të Kalifornisë, finalja nuk pati histori, me Seahawks që dominuan dhe mposhtën New England Patriots me rezultatin 29-13.

Skuadra nga Seattle tregoi superioritet të plotë taktik dhe fizik, duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit për rikthim në lojë. Mbrojtja e Seahawks ishte faktori kyç i ndeshjes, duke neutralizuar vazhdimisht sulmin e Patriots, ndërsa faza ofensive administroi me qetësi kronometrin dhe ritmin e lojës.

Që në minutat e para u bë e qartë se finalja do të kishte një drejtim të vetëm, me Seattle që u shkëput gradualisht deri në shifrat përfundimtare 29-13. Ky sukses përbën një arritje prestigjioze për Seahawks dhe konfirmon soliditetin e projektit teknik të skuadrës në edicionin e 60-të të NFL-së.

Nëse në fushë pati një dominim të plotë, spektakli i pushimit ndezi debate të forta në Shtetet e Bashkuara. Protagonist ishte këngëtari portorikan Bad Bunny, i cili vjen pas suksesit në Grammy me albumin “Debi Tirar Mas Fotos”.

Performanca e tij u shoqërua me një mesazh uniteti: “Bashkë jemi Amerika, e vetmja gjë më e fortë se urrejtja është dashuria”.

Në skenë u shfaqën edhe emra të njohur si Lady Gaga, Ricky Martin, Cardi B, Pedro Pascal dhe Jessica Alba, në një celebrim të kulturës latine që shkaktoi reagime të forta në rrethet konservatore.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër nga rezidenca e tij, duke e cilësuar spektaklin si “show-n më të shëmtuar në histori dhe një shpullë për Amerikën”.

Ai kritikoi vendimin e NFL-së për t’ia besuar pushimin e finales një artisti që këndon në spanjisht dhe bëri të ditur se nuk e ndoqi eventin, duke zgjedhur në vend të tij një koncert të Kid Rock në streaming.

Atmosfera përreth stadiumit u tensionua edhe për çështje sigurie, pas deklaratave të Kristi Noem për praninë e agjentëve të ICE në zonë. Kjo shkaktoi shqetësim te banorët e Santa Claras, ku rreth gjysma e popullsisë përbëhet nga qytetarë të lindur jashtë SHBA-ve.

Share This