Arianit Koci udhëton në Beograd si avokat i Mit’hat Lozhanit, paralajmëron për rreziqe

Arianit Koci udhëton në Beograd si avokat i Mit’hat Lozhanit, paralajmëron për rreziqe

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se të martën do të udhëtojë në Beograd, ku do të paraqitet në cilësinë e mbrojtësit ligjor të shtetasit të Kosovës, Mit’hat Lozhani, i cili u arrestua nga policia serbe gjatë kalimit transit nëpër Serbi.

Koci ka theksuar se ky udhëtim nuk është pa rrezik, duke qenë se ai është i njohur në Serbi për angazhimin e tij profesional në mbrojtje të disa shtetasve të Kosovës që janë ndaluar atje ndër vite.

“Të martën do të jem në Beograd, në cilësinë e avokatit, për rastin e Mit’hat Lozhanit, i arrestuar nga policia serbe gjatë transitit nëpër Serbi. Qe sa vite merrem me raste të shtetasve të Kosovës që ndalohen në Serbi. Për këtë arsye, emri im njihet edhe atje dhe nuk shihet me simpati. Si rrjedhojë, aktiviteti im profesional në Serbi nuk është pa rrezik”, ka shkruar Koci.

Ai ka bërë të ditur se vendimi për ta bërë publik udhëtimin e tij lidhet drejtpërdrejt me sigurinë personale.

“Për këtë arsye, po e bëj publik këtë udhëtim. Transparenca, në këto rrethana, është forma më e fortë e mbrojtjes dhe mënyra më efektive për të minimizuar rrezikun e ndonjë incidenti eventual gjatë qëndrimit tim në Serbi”, ka shtuar ai në një postim në Facebook.

Rasti i Mit’hat Lozhanit pritet të trajtohet nga autoritetet gjyqësore në Serbi, ndërsa prania e avokatit Koci në Beograd shihet si përpjekje për të siguruar mbrojtje ligjore dhe respektim të të drejtave të shtetasit të Kosovës.

Share This