Ukraina përballet me acarin polar, Trump bisedon me Putin, njofton armëpushim 1-javor

Ukraina përballet me acarin polar, Trump bisedon me Putin, njofton armëpushim 1-javor

Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë kritike ku armiku më i madh për momentin nuk është artileria, por natyra. Ndërsa termometri pritet të shënojë temperatura ekstreme deri në -30 gradë Celsius, Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një zhvillim të papritur diplomatik: një armëpushim të përkohshëm humanitar.

Në një deklaratë të bërë këtë të enjte, më 29 janar 2026, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, të pezullojë sulmet për një javë për shkak të të ftohtit të acartë. Sipas Trump, Putin ka rënë dakord me këtë kërkesë. Ende nuk ka konfirmim për këtë nga Rusia.

Kievi ngrin, Evropa dërgon ndihma

Situata në terren paraqitet dramatike. Qendra Hidrometeorologjike e Ukrainës ka lëshuar alarmin se midis 1 dhe 3 shkurtit, vendi do të goditet nga një valë e acartë siberiane. Administrata e Kievit raporton se aktualisht 613 pallate në kryeqytet janë pa ngrohje, pasojë e dëmtimeve të infrastrukturës energjetike nga bombardimet ruse.

Për të shmangur një katastrofë humanitare, Komisioni Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve njoftuan një paketë urgjente prej 50 milionë eurosh për kompaninë shtetërore “Naftogaz”. Kjo e çon totalin e ndihmës evropiane për dimrin 2025-2026 në afro 1 miliard euro.

Kthimi i të rënëve

Në këtë atmosferë të zymtë, një tjetër operacion i dhimbshëm u finalizua sot. Ukraina ka pranuar trupat e 1,000 ushtarëve të vrarë në front, një nga shkëmbimet më masive të trupave që nga fillimi i konfliktit.

“Masat e riatdhesimit filluan sot… trupat u përkasin ushtarëve ukrainas,” njoftoi Qendra Ukrainase për të Burgosurit e Luftës. Në këmbim, Moska mori eshtrat e vetëm 38 ushtarëve rusë.

Diplomacia e prapaskenave

Ndërkohë që fronti duket i ngrirë, diplomacia po zien. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, konfirmoi nga Brukseli se po përgatitet një raund i ri negociatash trepalëshe (Ukrainë-SHBA-Rusi).

Një rol kyç në këtë proces duket se po luajnë Emiratet e Bashkuara Arabe. Presidenti rus Putin vlerësoi sot publikisht kontributin e Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, pas bisedimeve në Kremlin.

“Jemi mirënjohës për përpjekjet tuaja në Abu Dhabi javën e kaluar,” tha Putin, duke sinjalizuar se kanalet diplomatike mbeten të hapura.

Ngërçi Zelensky-Putin

Pavarësisht lëvizjeve diplomatike, mosbesimi mes liderëve mbetet i thellë. Kievi deklaron se Zelensky është “gati të takohet me Putinin”, por akuzon Moskën se nuk dëshiron të ndalë agresionin.

Nga ana tjetër, Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov dhe këshilltarit Yuri Ushakov, pretendon se Zelensky nuk i është përgjigjur një ftese për bisedime direkte në Moskë – një temë që thuhet se është diskutuar edhe në telefonatat mes Trump dhe Putin.

Ndërsa liderët diskutojnë, ushtarët dhe civilët ukrainas përgatiten për javën më të ftohtë të vitit, me shpresën se premtimi për “një javë pa plumba” do të mbahet. /rtsh/

Share This