
Mbappe fundos “Nëndetësen e Verdhë”, Reali rikthehet në krye të La Ligës
Real Madrid ka marrë kryesimin e LaLigës pas fitores 2-0 në udhëtim ndaj Villarrealit në “Estadio de la Cerámica”, duke i shkaktuar skuadrës së Marcelinos dy humbje radhazi në kampionat për herë të parë që nga muaji mars, raporton Rekordi.net.
Pjesa e parë u karakterizua nga lojë e fortë dhe pak raste, ndërsa një vendim i arbitrit Cesar Soto Grado për të mos akorduar penallti për Villarrealin në minutat e para vendosi tonin e një starti të fragmentuar. Vendasit u përpoqën të krijojnë rrezik përmes krahëve me Tajon Buchanan dhe Alberto Moleiro, por pa arritur të kërcënojnë seriozisht portën madrilene. Në anën tjetër, Vinícius Júnior dhe Kylian Mbappe u neutralizuan mirë nga mbrojtja vendase.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 20-të, kur Arda Guler testoi portierin Luiz Junior me një veprim individual. Vinícius ishte pranë golit në fund të pjesës së parë, ndërsa Pape Gueye provoi fatin për Villarrealin, por pa sukses, duke e mbyllur pjesën e parë pa gola.
Në fillimin e pjesës së dytë, Real Madridi goditi shpejt. Vetëm dy minuta pas rifillimit, Mbappe përfitoi nga një top i lirë në zonë dhe shënoi me prekjen e tij të parë brenda zonës së Villarrealit, duke kaluar mysafirët në epërsi.
Goli i francezit i dha epërsi psikologjike Realit, i cili kontrolloi lojën në vazhdim, ndërsa Villarreal pati një rast të artë për barazim pas një goditjeje të lirë të organizuar bukur mes Dani Parejos dhe Gerard Morenos, por pa finalizim.
Në minutat shtesë, Mbappe sërish bëri diferencën, duke fituar penallti pas një depërtimi të shpejtë në zonë. Sulmuesi francez u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar me stil “Panenka” për rezultatin përfundimtar 2-0.
Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në krye të tabelës së LaLigës, ndërsa Villarreal bie nën Atletico Madrid dhe regjistron humbjen e tretë radhazi në të gjitha garat.
Ndërkohë, Barcelona hyn në ndeshjen e së dielës ndaj Real Oviedos me detyrimin për fitore nëse dëshiron ta rikthejë vendin e parë. /Rekordi.net


