Newcastle dhe Chelsea ndajnë pikët

Newcastle dhe Chelsea ndajnë pikët

Chelsea ka arritur të shmangë humbjen në një përballje dramatike të Premier League, duke barazuar 2-2 ndaj Newcastle United në “St James’ Park”, pas një rikthimi të fortë në pjesën e dytë të ndeshjes.

Vendasit e nisën fuqishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e katërt, kur Nick Woltemade përfitoi nga një pritje e portierit Robert Sanchez për të shënuar golin e parë. I njëjti lojtar dyfishoi avantazhin pas 20 minutash lojë, duke finalizuar saktë një krosim të Anthony Gordon, pas një rishikimi të gjatë nga VAR-i.

Chelsea e pati të vështirë në pjesën e parë dhe nuk arriti të reagojë, ndërsa Newcastle ishte pranë golit të tretë para pushimit.

Në fillimin e pjesës së dytë, londinezët u kthyen më agresivë në lojë. Kapiteni Reece James ngushtoi shifrat në minutën e 49-të me një goditje të bukur dënimi, duke i rikthyer shpresat ekipit të tij. Presioni i Chelseat vazhdoi dhe në minutën e 66-të, Joao Pedro shënoi golin e barazimit pas një pasimi të gjatë nga Sanchez.

Minutat e fundit sollën raste për të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar, duke vulosur një barazim të drejtë.

Newcastle vazhdon të mbetet pa portë të paprekur për ndeshjen e dhjetë radhazi, ndërsa Chelsea e Enzo Marescës ruan pozitën e katërt në tabelë, pavarësisht formës së paqëndrueshme në javët e fundit.

Share This