
Dukagjini i jep fund serisë së fitoreve të Malishevës
Seria prej tri fitoreve rresht e Malishevës në të gjitha garat është ndalur të shtunën, pasi ndeshja ndaj Dukagjinit ka përfunduar baras 0:0.
Takimi i zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj”, në kuadër të xhiros së njëzet e një të Superligës së Kosovës në futboll, është karakterizuar me raste të shumta shënimi nga të dyja skuadrat, por ka munguar konkretizimi para portës.
Pjesa e parë është mbyllur pa gola, ndonëse të dyja ekipet kanë pasur mundësi të mira për të kaluar në epërsi. I njëjti ritëm ka vazhduar edhe në pjesën e dytë, por rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund.
Për Dukagjinin ky ka qenë barazimi i dytë radhazi, pas atij ndaj Gjilanit, ndërsa Malisheva e ka humbur mundësinë që të afrohet më shumë me kreun e tabelës.
Në renditjen që kryesohet nga Ballkani, Malisheva mbetet në pozitën e katërt, ndërsa Dukagjini renditet i pesti.
Të dyja skuadrat do të kërkojnë sukses edhe në Kupën e Kosovës, ku janë kualifikuar në çerekfinale. Malisheva do të luajë në udhëtim te Llapi, ndërsa Dukagjini do të jetë nikoqir i Feronikelit 74.


