Hamza viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre

Hamza viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë.

Hamza tha se i ka gjetur ata “me shëndet të mirë dhe plot entuziazëm”, duke shtuar se u ka premtuar se “do t’i gëzojmë më 28 dhjetor”.

Në një postim në Facebook, Hamza shkroi se procesi gjyqësor nuk mund të zbehë idealin për të cilin, sipas tij, kanë luftuar ish-udhëheqësit e UÇK-së:

“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu.”

Hamza theksoi se procesi gjyqësor, sipas tij, po shkon drejt përfundimit dhe se pret që vendimi të jetë i drejtë:

“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare.”

Në fund të reagimit të tij, Hamza shkroi se Kosova po i pret ish-krerët e saj:

“Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi.”

Share This