Hykmete Bajrami reagon ashpër: “Shpifjet për gurthyes nuk kalojnë – po tentoni të largoni vëmendjen nga Mafia Energjetike”

Hykmete Bajrami reagon ashpër: “Shpifjet për gurthyes nuk kalojnë – po tentoni të largoni vëmendjen nga Mafia Energjetike”

Ish-ministrja e Financave dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj akuzave që po i drejtohen për çështjen e rentës minerare dhe gurthyesve, duke i quajtur ato shpifje të qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet në sektorin e energjisë.

Në një reagim publik, Bajrami tha se pushteti aktual po tenton të mbulojë çështjet që lidhen me “Mafian Energjetike”, përfshirë monopolet që sipas saj janë krijuar nga EFT-ja, NOA dhe GEN-i.

“Shpifjet për gurthyes nuk kalojnë. Kot e keni, po tentoni që përmes shpifjeve të largoni vëmendjen nga Mafia Energjetike, nga monopolet që ka kriju EFT-ja e Vuk-ut, NOA dhe GEN-i me ndihmën e qeverisë tuaj. Prej kur pyetjet e një gazetarje janë fakte?”, ka deklaruar ajo.

Bajrami theksoi se për pesë vite është sulmuar dhe akuzuar pa asnjë provë.

“Që 5 vjet keni kërku me gjetë diçka joligjore në punën time, por kurrë nuk keni gjetë, as nuk do të gjeni, sepse nuk ka. Sa herë që dështoni, shpifni. Shikoni dokumentet në Ministrinë e Financave dhe ato në Kuvend”, ka shtuar ajo.

Ajo ka sqaruar se si ministre nuk ka propozuar asnjëherë heqjen e rentës minerare për gurthyesit.

“Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike – COVID-19, i propozuar nga unë dhe Qeveria Hoti, nuk ka përmbajtë një nen të tillë. Heqja e rentës minerare ka qenë amandament i deputetëve dhe ministri i Financave nuk bart asnjë përgjegjësi”, theksoi Bajrami.

Në fund të reagimit, ajo ka drejtuar disa pyetje dhe kritika ndaj qeverisë:

“Publikoni kontratat, prej kujt bleni rrymë, se në Danimarkë doli që nuk bleni! Urime bashkëpunimi me Listën Serbe në Fushë Kosovë ku bashkërisht votuat sot për kryesuesin e Kuvendit Komunal.”

Share This