`Opera Friendship` çel Javën Kulturore Kroate

`Opera Friendship` çel Javën Kulturore Kroate

Prej sot deri më 20 nëntor do të zhvillohen aktivitetet e Javës Kulturore Kroate.

Publiku i Tiranës do të ketë mundësinë të shijojë një sërë aktivitetesh që pasqyrojnë pasurinë shpirtërore dhe krijuese të Kroacisë. Artdashësit do të zbulojnë Kroacinë përmes muzikës, filmit, filozofisë dhe trashëgimisë kulturore.

Java Kulturore Kroate nis me Koncertin Operistik të Miqësisë (Opera Friendship) i cili do të hapë sonte në darkë, këtë javë festive, duke bashkuar artistë të shquar kroatë dhe shqiptarë në një mbrëmje të jashtëzakonshme muzikore.

Filmi “A Blue Flower”, nën regjinë e Zrinko Ogresta, sjell në ekran një histori prekëse për jetën, kujtesën dhe reflektimin, duke ofruar një përvojë artistike për publikun shqiptar. Filmi do të shfaqet nesër, në Qendrën e Artit “Agimi”.

Ndërsa “Dita e Kravatës”, simbol i krenarisë kombëtare kroate, do të shënohet me një ekspozitë të veçantë dhe një paradë madhështore të Regjimentit të Kravatës nga Zagrebi, që do të sjellin në bulevardin kryesor të Tiranës hijeshi, solemnitet dhe traditë, më 19 nëntor.

Ligjërata “Ndërtimi i një Europe të Paqes: Roli i Kroacisë” nga filozofi dhe akademiku Prof. Pavo Barišić do të ofrojë një reflektim mbi rolin e Kroacisë në projektin evropian të paqes dhe bashkëpunimit.

Në të gjitha aktivitetet e kësaj jave, hyrja do të jetë e lirë. /atsh/

Share This