
KDI kritikon pagesën për studentë para zgjedhjeve: “Keqpërdorim i parasë publike për qëllime elektorale”
Eugen Cakolli nga Qendra për Demokraci dhe Zhvillim (KDI) ka reaguar pas ekzekutimit të pagesës prej 100 eurosh për studentë, vetëm tri ditë para balotazhit të zgjedhjeve lokale.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si “vijimësi të skemës së keqpërdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”.
Sipas Cakollit, viti akademik ka nisur më 15 shtator, dhe nëse qëllimi real do të ishte mbështetja e studentëve, ndihma financiare duhet të ishte dhënë atëherë, jo në prag të zgjedhjeve.
“Edhe pse për një qeveri në detyrë, s’do të ishte e ligjshme as atëherë”, ka shkruar ai, duke shtuar se problemi më i madh është normalizimi i shkeljeve të ligjit nën arsyetimin se janë në të mirë të qytetarëve.
Cakolli ka paralajmëruar se mungesa e reagimit ndaj këtyre veprimeve rrezikon t’i kthejë ato në praktikë të zakonshme, duke dëmtuar integritetin e procesit administrativ dhe të financave publike.

