
Netanyahu dhe Rubio diskutojnë armëpushimin në Gazë-SHBA paralajmëron Izraelin për aneksimin e Bregut Perëndimor
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pas takimit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në Jerusalem, deklaroi se Izraeli po përballet me ditë të rëndësishme.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, që zgjati më pak se dy minuta, Netanyahu tha se “ne duam të avancojmë procesin e paqes. Kemi ende sfida sigurie, por besoj se mund të punojmë së bashku… për të adresuar sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë.”
Ai përshkroi vizitat e njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të administratës Trump – përfshirë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe zëvendëspresidentin JD Vance – si pjesë e “një rrethi besimi dhe partneriteti” mes Izraelit dhe SHBA-së.
Nga ana e tij, Rubio vlerësoi armëpushimin e arritur në Gazë më herët këtë muaj, duke thënë se “kemi më shumë punë përpara, por ndihemi shumë pozitivë për këtë. Po bëjmë përparim të mirë.”
Ai shtoi se presidenti Trump e ka bërë armëpushimin “prioritet kryesor”, duke dërguar një sërë zyrtarësh të lartë në Izrael.
“Askush nuk ka iluzione. Kemi bërë të pamundurën një herë dhe synojmë ta bëjmë sërish,” tha Rubio, duke shprehur optimizëm pavarësisht “pengesave të mëdha”, pa dhënë detaje për to.
Takimi vjen në mes të zemërimit të SHBA-së për avancimin e dy projektligjeve në Kneset më 22 tetor për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor, një lëvizje që ka tronditur administratën amerikane.
Zëvendëspresidenti Vance, i cili ndodhej në Izrael dje, e quajti vendimin “shumë të marrë” dhe u shpreh se ndihej “personalisht i fyer” që projektligjet u avancuan gjatë vizitës së tij.
Sipas një interviste të fundit të Trump për revistën Time, ai paralajmëroi se Izraeli do të humbiste të gjithë mbështetjen e SHBA-së nëse anekson Bregun Perëndimor, duke theksuar se “kam dhënë fjalën time vendeve arabe” se kjo nuk do të ndodhë.
Netanyahu u përpoq të zbusë tensionet, duke e quajtur votimin në Kneset një “hap paraprak” që nuk do të çojë askund, por SHBA-ja mbetet skeptike. Rubio përsëriti se përparimi i armëpushimit në Gazë është një “arritje e rëndësishme”, por paralajmëroi se ka ende “punë më të madhe dhe arritje më të mëdha përpara”. /rtsh/


