Basha takon Kurtin: Mandatari për formimin e Qeverisë pritet t’i dërgohet Presidentes

Basha takon Kurtin: Mandatari për formimin e Qeverisë pritet t’i dërgohet Presidentes

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka njoftuar se sot ka pritur në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në këtë takim, sipas Bashës, është diskutuar për hapat institucionalë që do të pasojnë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Basha ka bërë të ditur se Kurti e ka informuar për veprimin e radhës që pritet të ndërmerret nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt fitues i zgjedhjeve të fundit parlamentare.

“Me Kryeministrin Kurti nënvizuam edhe nevojën për të proceduar drejt votimit të institucioneve të reja që derivojnë nga Kuvendi i Kosovës. Me këtë rast, Kryeministri më njoftoi se, si Kryetar i partisë më të madhe në vend, Kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë tek Presidentja e vendit, sipas procedurës ligjore,” ka shkruar Basha.

Në këtë takim, Kurti i ka dhuruar Bashës një pikturë të realizuar nga Rexhep Selimi në Hagë, si shenjë simbolike e respektit dhe bashkëpunimit institucional.

Ky takim vjen në një moment vendimtar për procesin e krijimit të institucioneve të reja, me pritshmëri që brenda ditëve në vijim të formalizohet edhe mandatari për kryeministër dhe të nisë procesi i votimit të Qeverisë në Kuvend.

Share This