
Uran Ismaili takim me veteranët e UÇK-së: “Prishtina do ta nderojë çdoherë sakrificën e tyre”
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zhvilluar sot një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka theksuar përkushtimin e tij për nderimin e vlerave të luftës dhe për mbështetje konkrete ndaj kësaj kategorie të rëndësishme të shoqërisë.
Gjatë fjalës së tij, Ismaili u shpreh se ndjehet krenar që është pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, duke theksuar se respekti ndaj veteranëve nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata, por të reflektohet në veprime konkrete dhe politika publike që nderojnë kontributin e tyre.
“Vetëm ju që keni luftuar dhe keni rrezikuar jetën për lirinë, e dini sa e shtrenjtë është ajo. Me mua si kryetar, Prishtina do ta nderojë këtë sakrificë në çdo formë – në shërbime, në përkujdesje dhe në kujtesën publike,” deklaroi Ismaili.
Ai njoftoi se në mandatin e tij të mundshëm, veteranët dhe familjet e tyre do të kenë prioritet në të gjitha shërbimet komunale, duke përfshirë qendrat shëndetësore, institucionet arsimore dhe sportelet e dedikuara në Komunën e Prishtinës.
Në fund të takimit, Ismaili u bëri thirrje veteranëve që të bashkohen në vizionin e tij për një Prishtinë që respekton dhe vlerëson sakrificën e tyre:
“Ju jeni themeli i historisë sonë. Le ta ndërtojmë bashkë një kryeqytet që nuk i harron ata që e sollën lirinë.”


