5 vende të BE propozojnë modelin “hap pas hapi” për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

5 vende të BE propozojnë modelin “hap pas hapi” për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

Pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë propozuar një qasje të re për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke synuar që kandidatët të përfshihen gradualisht në tregun e përbashkët evropian edhe para anëtarësimit të plotë.

Austria, Italia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia paraqitën një dokument konfidencial në Bruksel, raporton Euractiv, ku kërkojnë që procesi i zgjerimit të bëhet më konkret dhe më tërheqës për vendet aspirante.

Sipas propozimit, vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të marrin pjesë në sektorë të caktuar të tregut të përbashkët evropian, në varësi të nivelit të përafrimit me legjislacionin e BE-së.

“Për të mbështetur vrullin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, thuhet në dokument.

Modeli i quajtur “integrim sistematik sektorial” parashikon që shtete si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia të fitojnë akses gradual në fusha si transporti, energjia, tregu dixhital dhe politikat e konkurrencës.

“Qasja e bazuar në merita – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e përbashkët evropian përfaqëson një nxitje të tillë”, thonë vendet në dokument.

Pesë vendet argumentojnë se kjo qasje do të krijonte stimuj më të fortë për reformat dhe njëkohësisht do të rriste ndikimin gjeopolitik të Bashkimit Evropian në rajon, përballë influencës së Rusisë dhe Kinës.

Në dokument theksohet se integrimi gradual duhet të zbatohet vetëm pasi vendet kandidate të dëshmojnë nivel të lartë përputhjeje me standardet e BE-së në sektorët përkatës.

“Integrimi gradual  duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike pasi një kandidat të demonstrojë një nivel të lartë të përafrimit me acquis të BE-së në sektorin përkatës”, thuhet në dokument.

Po ashtu, propozimi përfshin edhe mekanizma mbrojtës, në rast se një vend kandidat devijon nga reformat demokratike ose ekonomike pasi ka fituar privilegje në tregun evropian.

Dokumenti përmend gjithashtu mundësinë që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrohen marrëveshje të ngjashme me programin e lëvizshmërisë së të rinjve mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. /rtsh/

Share This