Zyrapi: Disa ushtarë përdornin maska që të mos identifikoheshin, ka pasur ankesa
Dëshmitari Bslim Zyrapi, deklaroi se kishte shumë persona që përdornin maska për të mos u identifikuar, për çka kishte edhe ankesa në Shtabin e Përgjithshëm.
Këtë deklarim, Zyrapi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përpara kësaj, me kërkesën e gjyqtarit, dëshmitarit iu prezantua një dokument për të cilin kishte thënë se ai mbante nënshkrimin e Jakup Krasniqit dhe se vula ishte e Shtabit të Përgjithshëm, e që ishte një urdhër për ndalimin e maskave.
Dëshmitari Zyrapi pohoi se kishte ankesa lidhur me këtë, prandaj kishte dalë ky urdhër.
“Kam pas nga zonat operative, kanë ardhë edhe nga zona e Drenicës, zona e Pashtrikut, edhe e Shalës. Në atë kohë i kemi pas këto ankesa sa më kujtohet mua gjatë asaj kohe”, tha dëshmitari, duke shtuar se ankesat janë bërë gojarisht gjatë takimeve.
“Më kujtohet se kanë qenë edhe gjatë vizitave të mia nëpër zona, por edhe gjatë takimit me komandantët”, u shpreh ai.
Dëshmitari tha se këta persona që përdornin maska, merrnin veprime ndaj civilëve, bënin ndalime të personave nëpër zona të tjera, e të tjera.
“Të shumtë ishin ata që përdornin maska për mos me u njoftë -identifikuar, vepronin në territoret e zonave të cilat nuk ishin ushtarë të tyre ose nuk kishin urdhra të tilla për të marrë ose që kanë vepruar me civilët apo me marrjen e mjeteve materiale, apo ndalimin e personave në zonë. Kjo ishte problem se nuk e dinin se kush ishin ata që kanë vendos këto maska dhe po bëjnë këto veprime. Nuk ishin ushtarë të këtyre zonave. Për atë edhe komandantët e zonave janë anku dhe është marrë ky vendim”, tha Zyrapi.
Ai thotë se nuk e di saktë sa është ndjekur ky urdhër. Më pas, u pyet se a ka pasur ankesa edhe pas daljes së këtij urdhri nga zëvendëskomandanti i Përgjithshëm.
“Sa më kujtohet mua, jo nuk ka pas veprime”, tha dëshmitari.Gjithashtu, Zyrapi u pyet se kush e ka pasur kompetencën që të zëvendësojë komandantët.
“Komandantin e zonës për ta zëvendësuar e ka pas të drejtën veç komandanti i Përgjithshëm. Normalisht nëse propozohet edhe nga shefi i Shtabit për të ndryshuar komandantin. Por, cilat janë arsyet për zëvendësim? Në qoftë se ai nuk e kryen detyrën e vet, nuk është i aftë të komandojë me njësitë operative, nuk është i aftë t’i udhëheqë ato njësi, atëherë mund të shkohet ndryshimi i komandantit të zonës. Por, në qoftë se ai i ka të gjitha dhe vepron, punon, atëherë nuk ka nevojë të ndryshohet dhe në këtë kontekst nuk jam pajtuar që të ndërrohen komandantët e zonave”, tha ai.
Kurse, theksoi se vendosjen e komandantit e bënte Komandanti i Shtabit, propozohej nga shefi i Shtabit por vendimi final i takonte komandantit të Përgjithshëm (komandantit të zonës).
“Kurse, të tjerët propozohen nga vetë komandanti i zonës, zëvendëskomandanti nga komandanti i zonës- emërohen nga Shtabi i Përgjithshëm.”, tha Zyrapi.
Ndërsa, gjatë kundërpyetjeve të tij, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë njësi gjatë luftës sidomos më 1998 që kanë përdorur telefona satelitor, por një gjë e tillë u mohua nga Zyrapi.
Pas kësaj, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se ka ndryshuar pozicionin e tij dhe nuk synon që të bëjë asnjë kërkesë. Si rrjedhojë, për dëshmitarin me pyetje vazhdoi trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.