Zvicra e Xhakës e jashtëzakonshme, eliminon Italinë

Zvicra e Xhakës e jashtëzakonshme, eliminon Italinë

Zvicra është çerekfinalisti i parë i Euro 2024. Kjo pas fitores 2-0 kundër Italisë në “Olympiastadion” të shtunën.

Tani “helvetikët” presin të përballen me Anglinë ose Sllovakinë në fazën e ardhshme.

Pjesa e parë ka folur në favor të zviceranëve, por goli ka ardhur vetëm në minutën e tridhjetë e shtatë, kur Freuler ka shënuar pas një asistimi nga Vargas, duke e çuar Zvicrën në avantazh.

Më herët, në minutën e njëzet e pestë, Embolo ka pasur një rast të mirë për të shënuar, por portieri italian Donnarumma ka treguar aftësitë e tij duke e ndalur gjuajtjen. Pak më vonë, Chiesa ka rrezikuar për Italinë, por mbrojtja zvicerane e ka ndalur me sukses.

Pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin 1-0 për Zvicrën.

Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, Vargas, që kishte asistuar në golin e parë, ka shënuar me një goditje të fuqishme nga distanca, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Pavarësisht dominimit të mëvonshëm të Italisë, mbrojtja zvicerane ka qëndruar e fortë. Madje shtatë minuta para fundit, Zuber ka humbur një mundësi të mirë për të shënuar golin e tretë pas një asistimi nga Xhaka.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes, mes Gjermanisë dhe Danimarkës, zhvillohet me fillim nga ora 21:00.

Share This